Gjergj Vyshka 28.02.2015 19:25
Ashtu sikurse ishte lënë që në analizën vjetore të Federatës Shqiptare të Çiklizmit një javë më parë, dje presidenti Skënder Anxhaku dhe sekretari i përgjithshëm Alfred Tahiraj kanë zhvilluar një mbledhje me trajnerët. Në qendër të vëmendjes është shtimi i numrit të sportistëve dhe masivizimi.
“Do të ketë një ndarje të veprimtarive sipas kategorive të moshave, për të mos i përfshirë të gjithë në një vend, sepse nuk i shërben garës”, – ka deklaruar Anxhaku. – Madje do të ketë pajisje dhe me bazë materiale, e cila do të vijë të hënën nga Bullgaria, ndërsa është me shpenzimet e mia.”
“Jo vetëm kaq, por do të ketë dhe mbështetje për talentet e këtij sporti, ndërsa një i tillë është tek Elbasani, që unë mendoj se ka mundësi të marrë pjesë dhe në Lojërat Olimpike, – ka vijuar ai. – Pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare do të jetë në të gjitha kategoritë.”
“Në Kampionatin Ballkanik të të rriturve, i cili zhvillohet më 18 dhe 19 prill 2015 në Banja-Luka të Bosnje-Hercegovinës, do të marrin pjesë çiklistët që ne kemi në Itali, duke pretenduar se do ta fitojmë atë Kampionat”, – ka theksuar më tej kreu i organizmit që qeveris çiklizmit shqiptar.
“Në përgjithësi ka një angazhim total të trajnerëve për rritjen cilësore, ndërsa unë mendoj se sivjet do të bëjmë gjëra të bukura dhe të mira për të mirën e këtij sporti”, – ka përfunduar Anxhaku, i cili kështu ka realizuar mbledhjen e dytë në harkun kohor të një jave pas përfundimit të analizës vjetore.