Që prej ditës së djeshme çiklizmi shkodran ka për drejtues Leonard Kolën. Një emër ky që nuk është aspak i panjohur për amatorët e këtij sporti e më gjerë, pasi vite më parë Leonard Kola ka qenë pjesë e Vllaznisë kampione duke pedaluar përkrah asaj treshe të artë si Agim Tafili, Brahim Sykja dhe Sytki Tafili. Por përpos kësaj, prej disa vitesh Kola në rolin edhe të presidentit të çiklizmit shkodran ka mbështetur financiarisht këtë sport, i cili, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, nëse nuk do të vihej dorë në të, ishte në prag të shkrirjes totale.
Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Klubit Shumësportësh “Vllaznia” duke theksuar se në garat kombëtare të paratërinjve dhe të rinjve, që organizohen nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në qytetin e Kavajës ditën e shtunë, Vllaznia do të drejtohet nga Leonard Kola, i cili zëvendëson paraardhësin e tij, Sabedin Hoxha, i cili, nga drejtimi i ekipit të të rriturve, ka kaluar në krye të ekipit të të rinjve. Krahas të tjerëve, në grupin e çiklistëve të rinj shkodranë, Kola do të ketë rastin të përgatisë edhe djalin e tij, 15-vjeçarin Bruno Kola.
Ky i fundit, me trofetë kombëtare dhe ndërkombëtare të fituara gjatë periudhës së fundit konsiderohet si e ardhmja e çiklizmit shkodran e më gjerë. Gjatë prononcimit të tij për medien, menjëherë pas marrjes së detyrës, trajneri i ri Leonard Kola u shpreh se do të punojë me përkushtim për rikthimin në elitë të çiklizmit shkodran në atë vend që realisht i takon të jetë. Në arritjen e rezultateve pozitive me kuqeblutë e çiklizmit shkodran, trajneri Kola bazohet edhe në bashkëpunimin dhe mbështetjen e premtuar teknike nga dy ish kolegët e nderuar të çiklizmit, Brahim Sykja dhe Hilmi Lala, pa lënë mënjanë e po ashtu edhe të dy miqve të tjerë ish-çiklistëve të Vllaznisë, Aleksander Lazri dhe Festim Meti, aktualisht me banim në shtetin fqinjë të Italisë.