AlbanianSport.com 05/05/2020 17:10
ASNN – Fituesi i katërfishtë i “Turit të Francës”, Kris Frum, ka shprehur shqetësimin nëse organizatorët do të jenë në gjendje t’i parandalojnë turmat e mëdha që do të mblidhen në garën më të vjetër e më më prestigjioze të çiklizmit në botë, mes shqetësimeve të shkaktuara nga epidemia e “COVID-19”. Gara historike, që fillimisht ishte planifikuar të niste më 27 qershor, është shtyrë përsëri nga organizatorët deri më datën 29 gusht të këtij viti për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Grumbullimet masive me më shumë se 5,000 njerëz janë ndaluar në Francë deri në muajin shtator, pasi ky vend regjistroi më shumë se 168 mijë raste njerëzish të prekur nga koronavirusi dhe rreth 25,000 të vdekur, deri të martën. “Turi i Francës” është një ngjarje e ngulitur në kulturën dhe shoqërinë franceze, e cila tërheq milionë tifozë për çdo vit që janë të rreshtuar përgjatë rrugëve të 21 fazave të kësaj gare.
Megjithatë, Frumi beson se ky vit do të jetë i pari në histori të kësaj gare që do të mbahet pa shikues. Britaniku i lindur në Kenia po shpreson që organizatorët do të jenë në gjendje t’i mbajnë turmat e njerëzve larg garës, e cila pritet të mbahet në fund të muajit gusht, pavarësisht se në Francë tashmë futbolli është anuluar. “Nuk e di dhe nuk jam i sigurt nëse organizatorët do të mund t’i mbanin njerëzit larg garës, duke mos i lejuar ata që të mblidhen për t’i ndjekur nga afër çiklistët”, – ka thënë ai.
“Në teori, ne mund të vendosim që gara të mbahet pa shikues që qëndrojnë nëpër rrugë, pasi ajo transmetohet në televizione, – ka vijuar 34-vjeçari. – Do të ishte më e sigurt për të gjithë kjo mënyrë e mbajtjes së garës. Sipas meje, ky është versioni i garës që duhet ta shohim këtë vit. Pra, që të mos kemi tunele të njerëzve që të kalojmë nëpërmjet tyre”. Në fakt, Ministrja e Sportit të Francës, Roksana Marasinonu, ka thënë se “Turi i Francës” nuk do të anulohet, por do të mbahet në fund të muajit gusht.
Megjithatë, ajo nuk ka dhënë shumë shpresa se kjo garë do të zhvillohet pa praninë e adhuruesve. Madje, zyrtarja franceze ka paralajmëruar se edhe disa ngjarje të tjera sportive deri atëherë mund të mbahen me shikues, pra jo prapa dyerve të mbyllura. “Ne duhet të jemi të durueshëm, të shkojmë përpara me kujdes dhe të mos bëjmë plane tepër ambicioze, – ka thënë Marasinonu. – Nëse në shtator gjërat shkojnë edhe më mirë, atëherë të gjitha ngjarjet në kalendar, siç janë “Turi i Francës”, “Roland Garros” apo edhe ngjarje të tjera të mëdha mund të mbahen me shikues.”
“Këto dy ngjarje sportive dihet që kërkojnë spektatorë, – ka vijuar ajo. – Ata nuk do të jenë të pranishëm vetëm nëse ka një autorizim për një gjë të tillë. Pra, këto ngjarje nuk do të mbahen prapa dyerve të mbyllura.” Një përgjigje nëse “Turi i Francës” do të mbahet me ose pa shikues, ende nuk e ka dhënë as “Amaury Sport Organisation” (ASO), e cila është organizatore e kësaj gare prestigjioze.