Gjergj Vyshka 27.10.2015 16:45
Trajneri i çiklizmit të Elbasanit, Abaz Kovaçi, në një prononcim për “Sport Ekspres” vë gishtin ndaj kreut të kësaj Federate, Skënder Anxhaku, për shkatërrimin e skuadrës verdheblu. Sipas Kovaçit, i cili ka qenë edhe trajner i ekipit kombëtar, ku edhe ka dalë “kampion” i Ballkanit për të rritur, Elbasani është lënë në harresë të plotë.
“Së pari dua të them që në trajnimet, që u bënë para disa ditësh, vetëm unë nuk isha pjesë nga ana e trajnerëve dhe në vendin tim nga Elbasani u zgjodh dikush tjetër, – ka deklaruar ai. – Kjo është bërë enkas nga vetë kreu i kësaj federate, i cili po mundohet ta shkatërrojë Elbasanin.”
“As bazën materiale nuk po na e sjellin dhe me mund po mundohemi ta mbajmë vetë për arsye që ky sport me traditë në këtë qytet të mos zhduket, – ka vijuar Kovaçi. – Me shumë mund përgatisim sportistët në këtë sport dhe me anë të ndërhyrjeve nga kreu i Federatës na i largojnë këta çiklistë duke i joshur të garojnë për ekipe të tjera.”
“Kjo bëhet vetëm e vetëm për të shkatërruar këtë sport në qytetin e Elbasanit”, – akuzoi Trajneri i çiklizmit të këtij qyteti, Abaz Kovaçi, i cili shpreson që Elbasanit të mos i vihen “shkopinj nën rrota” për ta shkatërruar.