Gjergj Vyshka 09.05.2016 11:15
Fitore shpërthyese, ndërsa është e dyta radhazi në Xhiron e Italisë, për Marsel Kiteli, që në sprintin final mbërrin në Arnhem me krahët e ngritur lart përpara Vivianit, Nikolos, Grejpelit dhe Porsevit. Në këtë etapë të tretë, e cila ka qenë përsëri e gjatë 190 kilometra, nga Nimega në Arnhem, gjermani sposton Dumulin dhe merr edhe fanellën rozë duke qenë kryesuesi aktual i Xhiros së Italisë.
Arratija e ditës ka ardhur nga Berlato, Tjalingi (të njëjtit që kanë qene edhe të shtunën), Van Zyl dhe Amezkueta. Avantazhi i arritur nga ky grup me pjesën tjetër të çiklistëve, që i kanë ndjekur nga pas, ka arritur deri në gjashtë minuta. Grupi është kujtuar me vonesë për të lëvizur, por më pas është i papërballueshëm. Afrikanojugori Van Zyl është i fundit që ka rënë nga grupi i çiklistëve që janë shkëputur.
Por ai është kapur nga ndjekësit vetëm 1 kilometra e 700 metra nga finishi. Pastaj ka qenë thjeshtë një punë për çiklistët e shpejtësisë, atje ku Marsel Kiteli nuk ka falur. Ndërkohë ka ardhur një tjetër paraqitje e mirë për Eugert Zhupën, i cili ka qenë me të njëjtën kohë me pjesën më të madhe të çiklistëve që ndiqnin Kitel, ndërsa ishte në vendin e 22-të.
Dhe në renditjen e përgjithshme gjendet në vendin e 95-të mes 198-të pjesëmarrësve. Jo keq për një shqiptar në Xhiron e Italisë. Sot është pushim, ndërsa të martën nis gjithçka nga Kalabria.
Xhiro e Italisë 2016
Çiklizëm – Meshkuj
Renditja e etapës së tretë
(Nijmegen-Arnhem, 190 km)
1) Marsel Kitel (Gjermani) 4h23’45”
2) Elia Viviani (Itali) -“-
3) Xhiakomo Nicolo (Itali) -“-
4) Andre Greipel (Gjermani) -“-
5) Aleksandr Porsev (Rusi) -“-
6) Kristian Sbaralji (Itali) -“-
7) Moreno Hofland (Holandë) -“-
8) Arnaud Demare (Francë) -“-
9) Rik Zabel (Gjermani) -“-
10) Matej Mohoriç (Slloveni) -“-
———————————————————-
22) EUGERT ZHUPA (SHQIPËRI) -“-
Renditja e përgjithshme pas 3 etapash:
1) Marsel Kitel (Gjermani) 9h13’10”
2) Tom Dumulin (Holandë) +9”
3) Andrei Amadord (Kosta Rika) +15”
4) Tobias Ludvigson (Suedi) +17”
5) Moreno Mozer (Itali) +21”
6) Bob Jungels (Luksemburg) +22”
7) Matias Brandle (Austri) +23”
8) Roxher Kluge (Gjermani) +25”
9) Çad Haga (SHBA) +25”
10) Georg Preidler (Austri) +26”
——————————————————————
95) EUGERT ZHUPA (SHQIPËRI) +1’42”