AlbanianSport.com 22/05/2019 22:00
ASNN – Rreth i 76-të Çiklistik i Shqipërisë vijoi sot me etapën e tretë, Elbasan-Vlorë, me gjatësi 177 kilometra. Ashtu sikurse në etapën e dytë, edhe në këtë etapë ra në sy dominimi i çiklistëve italianë, të cilët “pushtuan” 7 vendet e para të renditjes. Vendi i parë shkoi për Moreno Marketin, i cili është pjesë e skuadrës “Neri Sottoli Selle Italia KTM”.
Marketi e preku i pari vijën e finishit duke regjistruar kohën 4 orë 29 minuta 43 sekonda. Vetëm 1 sekondë pas tij e përfundoi garën Matia Baldo i ekipit “Iseo Serrature – Rime – Carnovali. Ndërsa 2 sekonda më vonë se i pari, mbërriti Simone Bevilakua, po nga skuadra “Neri Sottoli Selle Italia KTM”. Ylber Sefa, çiklisti i ekipit kombëtar të Shqipërisë, e përfundoi etapën e tretë në vend të 13-të.
Megjithatë, sportisti kuqezi vazhdon të jetë kryesuesi i renditjes së përgjithshme individuale të Rrethit të 76-të Çiklistik të Shqipërisë, duke mbajtur bluzën e verdhë. Një paraqitje fantastike nga Sefa në këto 3 etapat e para, ku regjistron një rezultat të përgjithshëm prej 12 orë 34 minuta dhe 55 sekonda. Nesër do të zhvillohet etapa e 4-t Vlorë-Sarandë, 123 km e gjatë.