Gjergj Vyshka 10.04.2015 08:35
Dje në mesditë, në Paris, çiklizmi shqiptar ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me Federatën Evropiane.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, ka pasur një takim me presidentin e Federatës Evropiane të Çiklizmit, David Lapartien, i cili është njëkohësisht dhe presidenti i Federatës së Çiklizmit së Francës.
Marrëveshja e firmosur, e cila ka qenë edhe në programin e punës së çiklizmit shqiptar, ka të bëjë me ndihmesën e Federatës Evropiane të Çiklizmit në bazë materiale, sidomos me biçikleta në disiplinën e rrugës.
Jo vetëm kaq, por Federata Evropiane e Çiklizmit do të dhurojë dhe një furgon për ekipin kombëtar, si dhe do të ndihmojë me kualifikimin e trajnerëve nëpërmjet seminareve me lektorë të huaj. E tashmë kjo marrëveshje do të jetë për katër vjet.