AlbanianSport.com 14.04.2015 13:35
ASNN – Çiklisti shqiptar Eugert Zhupa ka bërë një përfaqësim të kënaqshëm në garën e Belgjikës, duke u renditur i 23-ti midis 149 çiklistëve pjesëmarrës. Çiklisti 25-vjeçar po përgatitet për marrë pjesë në Xhiron e Italisë duke u bërë shqiptari i parë që merr pjesë në këtë garë botërore.
Eugert Zhupa është çiklisti shqiptar që kërkon të shkruajë historinë në këtë sport. 25-vjeçari nga Kavaja që prej 12 vitesh stërvitet në Itali, në Rexho Emilia, me ekipin e “Sauthest”, prej viti është bërë çiklist profesionist. Pak ditë më parë ai ka marrë pjesë në garën Gand-Vefelgem të Belgjikës, e përfshirë në kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit (UCI).
Gara e Belgjikës është tepër e vjetër, pasi në të garohet prej 100 vitesh. Ajo ka 20 mure vështirësie e segmente të shumta me kalldrëm dhe quhet si një nga 3 garat më të vështira të veriut të Evropës. Në këtë garë morën pjesë 149 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota dhe e përfunduan atë vetëm 29.
Midis tyre ishte edhe Eugert Zhupa, i cili u rendit i 23-ti. Lodhja, kushtet e vështira atmosferike si dhe vetë itinerari me një shkallë të lartë vështirësie, bënë që shumë çiklistë të mos e përfundojnë atë. Në përfundim të kësaj gare, emri i Zhupës ka hyrë në listën e çiklistëve botërorë.
Rezultatit të tij i bëri jehonë edhe shtypi belg. Eugert Zhupa njihet si një çiklist “pasist”, që do të thotë “sprintier” i shpejtë dhe tepër i fortë në garat malore. Kjo në sajë të përgatitjes tepër të lartë fizike. Prej një viti është bërë çiklist profesionist ndaj dhe përgjegjësitë e tij janë tepër të larta në përfaqësim.
Zhupa përgatitet për të marrë pjesë në Xhiron e Italisë, e cila nis në 5 maj, duke bërë kështu çiklisti i parë shqiptar që merr pjesë në këtë veprimtari të rëndësishme botërore. Në planet e Eugert Zhupës është edhe pjesëmarrja në Turin e Francës, por kjo i takon të ardhmes.