AlbanianSport.com 11.05.2015 09:45
ASNN – Në fundjavë ka nisur edicioni i 98-të i Xhiros së Italisë një nga dy garat më të rëndësishme botërore të sportit të çiklizmit. Në këtë garë po merr pjesë, për herë të parë, edhe një çiklist shqiptar, Eugert Zhupa, i cili po garon për ngjyrat e ekipit “Sauthist”. Xhiro e Italisë do të zgjasë deri më 31 maj.
Eugert Zhupa ka bërë në fundjavë debutimin e tij në Xhiron e Italisë, duke u bëri i pari shqiptar që merr pjesë në këtë garë, një nga dy garat më të rëndësishme botërore të këtij sporti. Çiklisti shqiptar ka zhvilluar të shtunën etapën e parë, atë të kronometrit ekipor dhe skuadra e tij “Sauthist” u rendit e 18-ta në edicionin e 98-të, duke përshkuar distancën prej gati 18 kilometrash për 20 minuta e 18 sekonda.
Ndërkaq, të dielën është zhvilluar etapa e dytë e Xhiros së Italisë, dhe 25-vjeçari Zhupa është renditur i 178-ti midis 195 çiklistëve, duke e përshkuar distancën prej 177 km midis Albengas dhe Xhenovas, me kohën 4 orë, 16 minuta dhe 34 sekonda, 6 minuta e 16 sekonda pas vendit të parë. Ndërsa të hënën është zhvilluar etapa e 3-të Rapalo-Sestri Levante, 136 km e gjatë.
Zhupa ka bërë një paraqitje të mirë në këtë etapë, duke u renditur i 142-ti midis 191 çiklistëve, pasi ka mbërritur në finish 22 minuta e 12 sekonda prapa australianit Majkëll Methjus, që korri fitoren e dytë në këto 3 etapa të para, duke regjistruar kohën 3 orë, 33 minuta dhe 53 sekonda.
Sidoqoftë, përfaqësimi i Zhupës në këtë veprimtari është një arritje e madhe për çiklizmin tonë. Eugert Zhupa sapo ka nisur karrierën si profesionist dhe është nënkampion i Ballkanit në garën e kronometrit. Xhiro e Italisë do të zgjasë deri më 31 Maj. Sot zhvillohet etapa e 3-të Rapalo-Sestri Levante, 136 km e gjatë.