AlbanianSport.com 23/05/2019 23:30
ASNN – Rrethi i 76-të Çiklistik i Shqipërisë vijoi dje me etapën e 4-t, Vlorë-Sarandë, me gjatësi 123 kilometra, e cila konsiderohet edhe si më e vështira e të gjithë turit për shkak të terrenit të fortë malor. Ai që e preu i pari vijën e finishit ishte Filipo Fioreli, ku italiani i skuadrës “Gragnano Sporting Club” regjistroi kohën 3 orë, 16 minuta e 5 sekonda.
Holandezi Etien Van Empel dhe austriaku Sebastian Shënberger plotësuan podiumin, por të 3 këta çiklistë u ndanë vetëm nga disa të qindtat. Me këtë sukses, Fioreli rrëmben edhe fanellën e verdhë të kryesuesit të renditjes së përgjithshme individuale të kësaj veprimtaria, duke kryesuar me kohën 15 orë, 51 minuta e 20 sekonda, pas 4 etapave të para.
Ndërkohë, çiklisti i kombëtares shqiptare, Ylber Sefa, nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i 12-të në këtë garë, ndërsa sportisti kuqezi mbërriti në finish plot 5 minuta e 32 sekonda pas vendit të parë. Me këtë rezultat, Sefa humbi edhe kryesimin e Rrethit të të 76-të Çiklistik të Shqipërisë, të cilin e kishte kryesuar në 3 etapat e para, duke nisur nga ai triumf në prolog.