Gjergj Vyshka 21.02.2015 09:20
Që nga Presidenti i KOKSH-it e deri tek Drejtori i Sporteve në MAS, vlerësim si sport parësor. Baza materiale, lufta me pushtetin lokal, por dhe kualifikimi i sportistëve objektivat kryesor. Federata Shqiptare e Çiklizmit dje në mesditë, në mjediset e Hotel “Doro City” në Tiranë, ka zhvilluar analizën e saj vjetore për vitin 2014, quajtur ndryshe si Asambleja e Zakonshme. Me praninë e të gjitha klubeve e shoqatave anëtare të kësaj Federate, por dhe të anëtarëve të kryesisë, çiklizmi ka analizuar gjithçka që ka bërë mirë dhe keq gjatë vitit 2014.
Madje ka shpalosur dhe objektivat, që më së shumti lidhen me kualifikimin e sportistëve në Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Duke qenë se është sporti i cili në Lojërat Olimpike Rinore, të cilat vitin e kaluar u zhvilluan në Nanxhing të Kinës, por dhe në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku gjatë këtij viti, ka qenë dhe shkon me sportistë të kualifikuar me normë, atëherë vlerësimi i sport parësor në vend ka ardhur jo vetëm nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, por dhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Vladimir Gjonaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bezhani do të vlerësonte faktin që çiklizmi është në nivele të tilla si fryt i punës së përbashkët të të gjithë trajnerëve dhe sportistëve. “Keni arritur në atë nivel, – ka thënë Bezhani, – që e keni sjellë tashmë këtë sport në majë. KOKSH-i e ka pasur në konsideratë dhe do të vazhdojë ta ketë të tillë, edhe sepse është ndër të vetmet Federata që vjen me sportistë të kualifikuar me normë. Dhe është shembull për të gjithë”. Ndërkohë për Gjonajn ka qenë e vështirë të bëjë “qoka” në nisjen e përshëndetjes.
Kjo sepse e ka parë veten disi në pozicion të vështirë nisur nga fakti që ka qenë ish-anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj Federate. “Është kënaqësi të marrësh pjesë në punimet e asamblesë së Federatës Shqiptare të Çiklizmit dhe në një farë mënyre unë jam krenar për rezultatet e këtij sporti, – ka thënë Gjonaj. – Madje jam krenar për kualifikimin e sportistëve me normë për në Lojërat Olimpike dhe duke qenë pjesë e kësaj Federate deri para disa kohësh, atëherë ndjej detyrimin që ta ndihmojë më shumë.”
“Përkrahja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka për të munguar, ndërsa jemi munduar ta mbështesim duke pasur besim tek rezultatet e këtij sporti”, – ka përfunduar Gjonaj.