Gjergj Vyshka 22.01.2015 13:10
Veprimtaria e parë çiklistike në vend ka mbledhur pjesën më të madhe të sportistëve në vend. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar vlerëson nderimin për figurat e sportit. Apolonia dominon dhe fiton Kupën “Sali Hima” në çiklizëm, ndërsa kjo ka qenë veprimtaria e parë e dyrrotakëve shqiptarë. Për shkak të mos përgatitjes së duhur, ndërsa dimri i gjatë dhe i vështirë jo pak i ka lënë pa stërvitje çiklistët, atëherë gjyqtaria dhe sekretaria e garave ka qenë e detyruar të bëjë ndryshime në itinerarin e garës.
Që do të thotë se për Nën-23-vjeç / Të Rritur nuk është shkuar deri në Gracen, por gjithçka është kryer në formë cirkuiti në segmentin Qendra Tregtare TEG-Parku i Liqenit Artificial e kthim. Kështu për paratërinj dhe të rinj janë bërë 4 xhiro, ndërsa për Nën-23-vjeç / Të Rritur 6 xhiro. Ndërkohë ajo që vlen të përmendet është fakti se Apolonia ka qenë skuadra që ka ardhur me numrin më të madh të çiklistëve në këtë veprimtari çiklistike.
Plot 18, ndërsa grupi i drejtuar nga i mirënjohuri Kiço Kalemi dhe i biri i tij Armando Kalemi ka bërë gjithçka mirë. Sepse si për të rinj me Marolino Hoxhën, por dhe për Nën-23-vjeç / Të Rritur me Kriseld Sotën dhe Leart Bregun, Apolonia është në podium. Ashtu sikurse ishin në podium tek paratërinjtë durrsakët e Dashamir Ramës, Sali Ballgjini e Ridvan Tafili. Apo dhe Bruno Kola i Vllaznisë, Orest Hoxha dhe Olsian Veliaj të Tiranës të Anesti Koninit, apo dhe Antonio Shqau i Elbasanit të Abaz Kovaçit.
Ndërkohë është rikthyer në garë për Nën-23-vjeç / Të Rritur Donald Mukaj i Flamurtarit, kurse ajo që duhet vlerësuar dhe përmendur është puna e gjyqtarisë me në krye Hilmi Gjyzelin, Abedin Guzen, Burhan Berishën dhe Luan Sallakun. Ndaj në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ka përshëndetur jo vetëm sportistët, trajnerët, gjyqtarët, por dhe forcat e policisë e ato të ndihmës së shpejtë, të cilat ndihmuan në mbarëvajtjen e garës.
Sakaq për të gjithë fituesit janë dhënë diploma, ndërsa për fituesit dhe Kupë. Por ka përshëndetur dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili e ka vlerësuar Federatën Shqiptare të Çiklizmin për nderimin që i ka bërë figurave të saj, ndërsa duhet marrë shembull nga të gjithë disiplinat e tjera sportive. Dhe në emër të familjes Hima, për të cilën Federata Shqiptare e Çiklizmit ka dhënë dhe Mirënjohje, ka përshëndetur bashkëshortja e ish-dinamovitit Sali Hima.
Sakaq “Mirënjohje” është dhënë dhe për Eqerem Shabën. Tashmë çiklizmi bëhet gati për veprimtaritë e tjera kombëtare e ndërkombëtare.
Rezultatet teknike të Kupës “Sali Hima”
Paratërinjtë:
1) Sali Ballgjini (Teuta) 40’35”
2) Bruno Kola (Vllaznia) 40’36”
3) Ridvan Tafili (Teuta) 40’37”
Të rinjtë:
1) Marolino Hoxha (Apolonia) 25’30”
2) Orest Hoxha (Tirana) 25’31”
3) Antonio Shqau (Elbasani) 25’32”
Nën-23-vjeç / Të Rritur
1) Kriseld Sota (Apolonia) 1h40’10”
2) Olsian Veliaj (Tirana) 1h40’11”
3) Leart Bregu (Apolonia) 1h40’12”