AlbanianSport.com 12.04.2015 10:15
ASNN – Bazë materiale, mbështetje për stërvitjen e sportistëve dhe kualifikimin e trajnerëve dhe gjyqtarëve, por edhe një pistë për disiplinën BMX. Këto janë disa nga aspektet e marrëveshjes që Federata Shqiptare e Çiklizmit ka nënshkruar ditët e fundit me Federatën Evropiane të këtij sporti, një marrëveshje që është vlerësuar si mjaft e dobishme nga presidenti i çiklizmit shqiptar, Skënder Anxhaku.
Ditët e fundit, çiklizmi shqiptar ka firmosur në Paris marrëveshjen e bashkëpunimit me Federatën Evropiane të këtij sporti dhe, duke folur për Televizionin Shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ka dhënë edhe detajet e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja e firmosur, e cila ka qenë edhe në programin e punës së çiklizmit shqiptar, ka të bëjë me ndihmesën e Federatës Evropiane të Çiklizmit edhe përsa i përket infrastukturës. Aktualisht, çiklizmi shqiptar po përgatitet për pjesëmarrjen në Lojërat e para Olimpike Evropiane, që do të zhvillohen në Baku.