Gjergj Vyshka 28.09.2016 15:15
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i trajnerit të Partizanit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomori, që deri dje ka qenë pjesë e Studentit, ku dhe ka dalë fitues i Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, Kupës së Shqipërisë dhe Kampionatin. “Është e drejta e tyre që të vijnë t’i marrin trofetë që nga periudha kur ka ardhur në krye të klubit Blendi Nallbani e deri më sot, sepse realisht i takojnë, – ka pohuar trajneri veteran. -Ashtu sikurse kemi dorëzuar të gjitha trofetë e fituar edhe kur shefa klubesh ishin Sabri Avdiu, Besim Rizvanolli, etj.”
“Sa për paratë, e para nuk kam se si të akuzoj dhe të them nëse kanë hyrë në xhepat e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Volejbollit, apo jo, apo të klubit “Studenti”, pasi nuk kam fakte, – ka vijuar Tomori. – Ama ato para nuk mund të ndërrojnë destinacionin, sepse me ligj të qeverisë të shtetit në sportet kolektive u takojnë lojtarëve që kanë dalë fitues të Kupës së Shqipërisë, apo “kampion”. Unë nuk përfitoj asgjë, përkundrazi vetëm konfirmoj se cili lojtar ka qenë prezent. Janë të volejbollistëve dhe duhet të ishin dhënë që në prill, maksimumi në 15 maj, e jo pas 6 muajsh.”
“Duket sikur është një luftë ndaj meje, sepse shihni reagimet e të kuptoni që gjithçka është ndaj meje. Por ato janë të lojtarëve dhe duhet t’i marrim. I kemi bërë letë ministres, nëse nuk gjejmë përkrahje do të lajmërojmë organet e shtypit. E më pas do të shkojmë deri në gjyq, por kjo punë s’është e mirë. Duhet të jenë për lojtarët sa më shpejt”, – ka përfunduar trajneri tanimë i Partizanit, Ylli Tomori, i cili i është përgjigjur kështu Nallbanit, që, nga ana e tij, ka treguar se do të bëjë padi për shpifje në gjykatë ndaj ish-trajnerit të Studentit.