Gjergj Vyshka 28.09.2016 11:35
Ish-futbollisti, tanimë drejtues i shumësportëshit “Studenti”: “Unë emrin e tim e kam vënë me punë dhe djersë dhe jam i pastër e frikën kam vetëm Zotin. Nëse kam marrë qoftë dhe një lek nga ato para, të cilat nuk kanë ardhur në klubin Studenti, jap dorëheqjen…” Duke vijuar më tej i pari i klubit shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, ka bërë të ditur se emri i këtij klubi është ngritur nga të tjerë njerëz.
“Nuk është thjesht as Ylli Tomori e as Blendi Nallbani që i ka dhënë emër këtij klubi, por është një histori që ka nisur me të tjerë njerëz, – ka vijuar ai. – Unë jam nga ato që bëj punë dhe kam ngritur dhe disa lloje sporti për të rritur emrin e këtij klubi shumësportësh. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit kanë pjesën e tyre, por, për aq sa i njoh, si presidentin Pëllumbi, ashtu dhe sekretarin Vokopola, janë njerëz që i kanë dhënë volejbollit shqiptar.”
“Aq më tepër që bashkë me Pëllumbin kemi qenë në të njëjtin klub që ishte Partizani, – ka theksuar ish-futbollisti. – Në këto kushte, kontributi i Ylli Tomorit nuk është aq i madh sa duket. Por, megjithatë për të mbrojtur klubin shumësportësh “Studenti”, por dhe emrin tim, do t’i drejtohemi gjykatës për padi për shpifje, sepse asnjë lek nga ato që i takojnë ekipit “kampion” nuk ka ardhur në klubin tonë.”
Nallbani dje ka pasur dhe një konsultë të gjatë me Drejtorin e Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, sepse ka edhe një mundësi që, ligjërisht, ato para u takojnë lojtarëve.