Gjergj Vyshka 28.09.2016 07:55
Konflikti për shpërblimin e ekipit “kampion” të volejbollit të meshkujve për sezonin 2015-2016, që në këtë rast është Studenti, duket se nuk ka ndërmend të përfundojë. Shefi i klubit shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, ka bërë të ditur për “Sport Ekspres” se do t’i drejtohet gjykatës për një padi ndaj ish-trajnerit të skuadrës, Ylli Tomorri, që një ditë më parë ka treguar se këto para kanë destinacion tjetër dhe nuk mund të shkojnë as në xhepat e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Volejbollit, por as të shefit të klubit shumësportësh “Studenti”.
“Së pari, – thotë Nallbani, – me emrin nuk mund të tallet gjithkush dhe nuk mund ta vërë në dyshim pastërtinë time. Unë emrin tim e kam vënë me punë dhe me djersë e kudo që kam qenë si tek Tirana, ashtu dhe tek Partizani, kam ikur i nderuar. Sa i përket parave të skuadrës kampione, ato nuk kanë ardhur në klubin shumësportësh “Studenti”. Janë në thesar dhe kushdo që ka dyshime le të shkojë t’i kontrollojë. Nëse unë kam qoftë dhe një qindarkë të vetme atëherë jap dorëheqjen, por jam i pastër dhe frikë kam vetëm Zotin.”
“Sa për trajnerin Tomori, do të thoja se është debitor ndaj klubit, – ka vijuar kreu i shumësportëshit “Studenti”. – Jo vetëm kaq, por e ka detyrim që t’i kthejë të gjitha trofetë që ka marrë me ekipin. Sepse edhe unë kam qenë pjesë e Tiranës, kam dalë kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, por trofetë janë në muzeun e klubit. E pavarësisht kontributit nuk më bënë qoftë dhe një ceremoni lamtumire. Po kështu dhe tek Partizani kam fituar trofe, por ato janë të klubit. Ndaj dhe Tomori duhet t’i kthejë trofetë e fituar me Studentin.”