Gjergj Vyshka 27.09.2016 09:45
Kërcënimi i trajnerit Ylli Tomorri: Ky shpërblim nga Federata Shqiptare e Volejbollit u takon lojtarëve dhe jo klubit. Në të kundërt do të lajmërojmë të gjitha organet e shtypit dhe deri tek “Stop” për këtë skandal që ndodh me para që u takojnë volejbollistëve. Volejbolli shqiptar nuk po gjen rehat. Edhe pse ka 5 muaj që ka përfunduar sezoni 2015-2016, atje ku me shumë meritë Studenti i Ylli Tomorit është shpallur “kampion” kombëtar, shpërblimi që takon nga Federata Shqiptare e Volejbollit ende nuk ka shkuar për volejbollistët.
E keqja është se të gjithë lojtarët që përfunduan sezonin me Studentin kanë kaluar tek Partizani së bashku me trajnerin Ylli Tomori. E për shkak të kësaj gjëje, e cila shkaktoi përplasje mes Tomorit dhe klubit shumësportësh “Studenti”, shpërblimi nuk jepet për lojtarët. Të paktën sipas trajnerit Tomori, kur Barleti Volej i ka marrë këto shpërblime një gjë e tillë duhet të ishte bërë me lojtarët e tij. “Nuk ka arsye pse kjo shumë financiare, e cila është shpërblim për lojtarët për Kupën e Shqipërisë të fituar, por dhe për titullin kampion, të shkojë në klubin “Studenti”, – ka thënë trajneri veteran i rrjetës.
“Është një shpërblim që nuk ka destinacion klubin, por lojtarët, – ka vijuar ai. – Federata Shqiptare e Volejbollit e ka listën e lojtarëve që kanë luajtur për Studentin për sezonin 2015-2016 dhe fare mund t’i kalojë tek numrat e llogarisë së tyre. Por marrë një shembull të thjeshtë, nuk ka pse shpërblimin e Altin Gorenxës ta marrë Denis Rama, që sot është lojtar i Studentit, por sezonin e ka përfunduar tek Tirana. Mirëpo këtu kuptohet që problemi është Ylli Tomori, për inat të të cilit bëhen të gjitha prapaskenat dhe paratë nuk shkojnë tek lojtarët.”
“Janë para të volejbollistëve dhe nuk ka pse të shkojnë as në xhepin e drejtuesve të klubit shumësportësh “Studenti” e as të Federatës Shqiptare të Volejbollit”, – ka shtuar trajneri i Partizanit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomori, që, për hir të së vërtetës, për gati 35 vjet punë që ka pasur tek klubi shumësportësh “Studenti” i ka dhënë këtij klubi aq shumë lavdi sa çfarë nuk i kanë dhënë disiplinat e tjera. Ka sjellë kaq shumë kupa e tituj kampion sa nuk kanë sjellë të tjerë dhe shpërblim që i takon nuk arrin në xhepat e lojtarëvë që ka stërvitur dhe stërvit dhe sot.
Mirëpo Tomori e lojtarët e tij nuk e kanë lënë me kaq këtë çështje. Ata i janë drejtuar me një letër ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila ka në varësi klubin shumësportësh “Studenti”, si dhe sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Plarent Ndreca.
“Por as njëri e as tjetri nuk kanë kthyer përgjigje, – zbulon Tomori. – Janë interesuar dhe lojtarët në Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe përgjigja e tyre kanë qenë se paratë do të shkojnë në klub. Por nuk mund të lajnë duart si “Ponc Pilati”, sepse ato janë para të lojtarëve. Dhe kjo nuk e zbut konfliktin, përkundrazi e shton atë, aq sa do të jetë gjyqi më pas që do ta zgjidhë këtë problem.” Madje tashmë janë menduar dhe hapat e mëtejshëm që sipas të parit të stolit të të kuqve.
“Ne do të vëmë në dijeni si organet e shtypit vizive dhe të shkruara, por dhe të gjitha emisionet investigative, për këtë skandal që po ndodh me paratë e kampionëve që u takojnë me hak për djersën e derdhur gjatë një viti sportiv”, ka përfunduar trajneri aktual i Partizanit në volejboll për meshkuj, i cili deri në fund të sezonit 2015-2016 ishte tek Studenti.
Lojtarët e Studentit 2015-2016:
Elton Tukseferi, Ervin Çali, Altin Gorenxa, Klodian Kasa, Blerim Memia, Klaudio Qerraxhia, Ledio Martiro, Kristi Martiro, Arbër Troka, Kreshnik Malaj, Hendi Kono, Zhekland Muça, Sotir, Vuldjev, Ivanov
Trajner: Ylli Tomori