Nga Gjergj Vyshka 21.04.2016 07:05
Çështja e akuzave të bëra në drejtim të gjyqtarit të volejbollit, Eduart Preka, nga klubi i Vllaznisë ka çuar në reagimin e komunitetit të “bilbilave” të rrjetës shqiptare dhe i pari që ka dalë publikisht, ka qenë ndërkombëtari Erjon Mujo.
Ndërkohë, duke iu referuar postimit në profilin e gjyqtarit Mujo në rrjetin social “Facebook”, bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe njohësi me përvojë i shumësportëshit shqiptar, Gjergj Vyshka, ka bërë një koment të shkurtër, duke bërë edhe një thirrje për ta.
AlbanianSport.com jua sjell të plotë më poshtë këtë koment:
Së pari, të uroj Erjon Mujo për këtë që ke bërë. Së dyti, jam vetë dëshmitar për atë që ka ndodhur dhe Prekën, një mik i mirë i imi, e kam takuar në setin e katërt të ndeshjes Farka Volej-Studenti, ndërsa ishte së bashku me Mustafa Tukseferin. Preka, por dhe dy ndihmësit e tij, Brokaj e Ekmekçiu, apo dhe gjyqtari i dytë, Roland Mujo, ishin bashkë në pritje të ndeshjes Tirana-Vllaznia.
Biseda ishte normale e, nëse shkodranët duan të gjejnë justifikim, jo vetëm për atë humbje 0-3 ndaj Tiranës, por dhe për pjesën e lëkundur të sezonit, nuk mund t’ia mveshin atë një gjyqtari si Eduard Preka. Thirrjet që në parket së “është i pirë”, gjë që i pari e ka bërë lojtari i lirë Kola, nuk e justifikojnë sjelljen e Vllaznisë, atje ku si Çekini (që ka hequr fanellën e më pas ka tentuar t’i afrohet gjyqtarit në kullë, por e kanë mbajtur të tjerët), apo dhe trajneri Kalaja duhet të jenë pjesë e analizës së Komisionit të Disiplinës.
Gjithnjë nëse Federata Shqiptare e Volejbollit kërkon te mbrojë imazhin e gjyqtarëve të saj dhe nuk kërkon të bëjë “koka turku” për hatër të rrethit të ngushtë që ekziston pranë drejtuesve aktualë. Që ju të jeni një, jo sot, por që vite me parë duhet të ishit shoqatë. Sepse vetëm kështu do të ishit “opozitarë” me Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe do të mbronit të drejtat e juaja.
Sepse kështu të ndarë e të percarë nuk ju mbron askush. Shkurt urime për mbrojtjen që po i bëni Prekës, sepse Vllaznia, jo vetëm në volejboll, por dhe në sporte të tjera, për një humbje më parë se të shohë veten, e gjen të keqen tek gjyqtarët. E kjo nuk bën më përshtypje. Mbrohuni dhe bëhuni te gjitha bashkë, sepse një grusht njerëzit është më i lehtë për t’u përmbysur.