AlbanianSport.com 14/10/2018 11:35
ASNN – Të pakta janë transferimet e futbollistëve shqiptarë në kampionatet elitare evropiane që kalojnë vlerën e 500 mijë eurove. Një ndër këto transferime që bëri bujë në merkaton e verës ishte kalimi i Sindrit Gurit nga Kukësi te Ostende në Belgjikë. Lojtari është përshtatur, po punon mirë dhe po aktivizohet, duke qenë madje dhe një prej emrave të së ardhmes në sulmin kuqezi të Kombëtares. Por për këtë transferim ka dalë një “kleçkë”, që po e shqetëson jo pak klubin e Kukësit.
Futbollisti ka dalë si fëmijë nga klubi i KF Shkodrës dhe klubi mëmë i tij ka kërkuar që nga ky transferim të fitojë sipas rregulloreve të FIFA-s shumën e 2% të transferimit. Sipas të përditshmes sportive shqiptare, “Panorama Sport”, klubi në fjalë kërkon plot 14 mijë euro, pasi Guri është shitur tek Ostende në Belgjikë 710 mijë euro. Dhe mbi këtë parim i bie që KF Shkodra të fitojë 14 mijë euro. Në fillim Kukësi i ka sugjeruar KF Shkodrës ta kërkojë këtë të drejtë tek Ostende në Belgjikë.
Por klubi belg ka kthyer përgjigje, duke thënë se në bazë të kontratës që ka bërë me Kukësin, këtë shumë, pra 2% të shumës së transferimit që është e sanksionuar dhe në rregulloret e UEFA-s për klubin mëmë, duhet ta paguante Kukësi në bazë të marrëveshjes së bërë. Dhe klubi shkodran kërkon nga presidenti i Kukësit Safet Gjici të derdhë në arkat e KF Shkodrës shumën e 14 mijë eurove, me pretendimin se Sidrit Guri ka qenë lojtar i tyre që në moshë të njomë, për 6 vjet me radhë.
Dhe është detyrim i FIFA-s që kjo përqindje e transferimit, njohur edhe si tarifa e solidaritetit, t’i kalojë klubit mëmë, pra KF Shkodrës. Nëse Kukësi nuk e përmbush këtë detyrim, atëherë shkodranët do ta padisin në FIFA dhe nëse kjo ndodh, atëherë FIFA mund ta penalizojë Kukësin. Pa pretenduar se do të gjendet e drejta shpejt, duhet thënë se FIFA dhe UEFA u japin përparësi të madhe klubeve mëmë, pra atyre që zbulojnë talentin dhe për këtë kanë futur në rregullore tarifën e solidaritetit prej 2% të shumës së transferimit.
Ndërkohë, vetë UEFA, derdh për klubet e çdo federate anëtare një shumë të konsiderueshme parash që shkojnë mbi 50 mijë euro, si suport për projektet e akademive që të nxjerrin sa më shumë talente.