Albaniansport.net 20.01.2016 12:30
ASNN – Problemi për të marrë një biletë në finalet e Euro 2016, vazhdon të jetë evident për grupimin “Tifozët Kuq e Zi”. Ata akuzojnë Federatën Shqiptare të Futbollit se, në bashkëpunim me agjenci të ndryshme udhëtimi po u sigurojnë bileta në grup, personave të panjohur. Por, Drejtori i marketingut në FSHF, Gazmend Malo, sqaron këtë situatë.
Ai ka theksuar se biletat në grup mund të sigurohen vetëm nëpërmjet “Klubit të Tifozëve”, të krijuar pranë organizmit që qeveris futbollin në vend. Tifozët “Kuq e Zi” vazhdojnë të akuzojnë Federatën Shqiptare të Futbollit se po bashkëpunojnë me agjenci të ndryshme udhëtimesh për t’u siguruar bileta në grup, grupimeve të ndryshme tifozësh të cilët konsiderohen si të preferuar nga organizmi më i lartë i futbollit në vend.
Gazmend Malo, Drejtori i Marketingut në FSHF, për Televizionin Shqiptar, ka sqaruar se një gjë e tillë nuk është e mundur. Malo sqaron se biletat në grup mund të sigurohen vetëm nëpërmjet “Klubit të Tifozëve” të FSHF-së, i krijuar sipas udhëzimeve të organizmave ndërkombëtarë të futbollit. Problemin e biletave të finaleve të evropianit, francë 2016, e sqaron edhe Aneo Hila, përfaqësuesi i një agjencie udhëtimi.
Në faqen zyrtare të UEFA-s, pas dy fazave të para të aplikimit, është hapur etapa e tretë me biletat e mbetura. Të gjithë ata që nuk mundur të aplikojnë në dy të parat, kanë tashmë edhe një mundësi aplikimi për biletë në finalet e Euro 2016.