AlbanianSport.com 11/08/2021 23:55
ASNN – Mposht Vijarealin nga pika e bardhë, koha e rregullt dhe shtesat u mbyllën 1-1. Çellsi ka fituar trofeun e parë të sezonit evropian të futbollit, Superkupën, duke mposhtur Vijarealin, por vetëm pas goditjes nga pika e bardhë e 11-metërshve. Koha e rregullt dhe ajo shtesë e takimit që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, u mbyllën në barazim 1-1. Dueli tradicional që ngre siparin e ri të sezonit të klubeve të kontinentit të vjetër, Superkupa, e cila vë përballë fituesen e Ligës së Kampioneve dhe atë të Ligës së Evropës, është luajtur të mërkurën në mbrëmje në kryeqytetin e Irlandës së Veriut, Belfast.
Kjo sfidë, që ka vënë këtë radhë përballë njëra-tjetrës Çellsin dhe Vijarealin, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Në fakt, pjesa e parë ka parë anglezët të jenë më të rrezikshëm para portës spanjolle dhe janë ata që e gjejnë të parë rrugën e rrjetës në minutën e 27-të, me anë të Hakim Zijekut. Vijareali do të reagojë menjëherë pas pësimit të golit dhe do të këmbëngulë përgjatë gjithë gjysmës së dytë të pjesës së parë. Madje iberikët ishin fare pranë barazimit në minutën e fundit, por goditja e Morenos ka gjetur shtyllën horizontale të portës londineze, por topi nuk e ka kaluar vijën fatale, duke u kthyer në lojë.
Me këtë epërsi minimale të Çellsit do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do ta shohë Vijarealin ta vazhdojë aty ku e la, duke këmbëngulur dhe duke iu afruar golit në minutën e 52-të, kur vetëm një prekje me gishta e gardianit të portës londineze, Mendi, do ta çojë topin në shtyllë pas goditjes së Morenos. Por spanjollët do ta gjejnë golin e barazimit 17 minuta para fundit të kohës së rregullt, me anë të Morenos. 90 minutat e kohës së rregullt janë mbyllur kështu në barazim 1-1, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila, të cilat, përtej dy rasteve për shënim të Çellsit, nuk kanë sjellë ndryshim në rezultat.
Kësisoj, fati i këtij dueli të Superkupës së Evropës është vendosur nga goditjet nga pika e 11-metërshve, aty ku Çellsi e ka nisur keq, duke humbur të parën me Kai Havertzin, por Vijareali ka humbur të dytën, me Aisa Mandin, por edhe të 7-tën dhe atë vendimtaren, duke i dhuruar trofeun skuadrët angleze të drejtuar nga trajneri gjerman, Tomas Tuhel.