AlbanianSport.com 16/11/2018 15:40
ASNN – Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS), ka përgënjeshtruar veten. Një ditë pasi dha një lajm të çuditshëm për çështjen “Skënderbeu”, duke thënë në një “e-mail” me një media shqiptare se nuk kishte apelim nga klubi shqiptar pas dënimit nga UEFA, dje reagoi sërish CAS-i dhe këtë herë duke pranuar se ka gabuar rëndë. Në këtë e-mail të dytë Gjykata e Lozanës pranon se Skënderbeu ka bërë apelim.
Por më tej, përgjigjja saktëson se nuk ka një datë për vendim-marrjen, domethënë ende nuk është programuar shqyrtimi i çështjes. “Pasi kontrolluam të dhënat, në të vërtetë, është e qartë se ekziston një apelim në pritje në CAS mes KF Skënderbeut dhe UEFA-s, pas vendimit të dhënë nga trupa e UEFA-s, më 26 prill”, – thotë CAS-i.
“Ju kërkojmë ndjesë për gabimin e mesazhit të parë dhe kuptojmë konfuzionin që mund të ketë shkaktuar. Procedura e Arbitrazhit në CAS është në vazhdim dhe paneli i gjyqtarëve është emëruar”, ”, – përfundon njoftimi. Duket qartë se në këtë rast Arbitrazhi Sportiv i Lozanës e teproi.
Megjithatë klubi korçar do të vijojë të presë deri në dhënien e një vendimi të prerë, i cili do të jetë përfundimtar. UEFA e ka dënuar Skënderbeun me 10 vjet penalizim nga Kupat e Evropës, si dhe një gjobë të rëndë 1 milion euro.