Gjergj Vyshka 11.03.2015 11:35
Presidenti i Akademisë së Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës, Ervin Canollari, duket se e sheh të parakohshme idenë e një ndeshje me Udinezen e madhe. “Ajo mund të bëhet kur ne të jemi në elitë, apo në Kategorinë Superiore, – ka thënë ai. – Megjithatë kuptohet që turnetë me ekipet e moshave të Akademisë së futbollit të Udinezes do të jenë të parashikuara në kontratë dhe të kryhen.”
“Jo vetëm kaq, por ndryshe nga çfarë kanë kërkuar ata për një kontratë shumëvjeçare, unë kam qenë me idenë për 1+1, – ka vijuar Canollari. – Sepse ndoshta më vonë do të kemi binjakëzime dhe për ekipe më me emër në futbollin evropian se Udineze. Nëse do të jemi në elitë, duke ditur që Udineze sot ka si aneksin e saj Granadën në Spanjë, apo Uatfordin në Angli, nuk ka pse të mos na ketë dhe ne.”
“Në kuptimin që lojtarë të saj që nuk mund të aktivizohen në skuadrën italiane të luajnë këtu tek ne”, – ka theksuar ai. Madje Canollari bën të ditur se dy apo tre talente të Akademisë së futbollit Internacional do të mund të shiten tek Udineze sigurisht që përfiton dhe klubi i tij. “Ashtu sikurse do të përfitojmë më vonë sipas të gjitha rregullave të FIFA-s nëse Udineze do ta shesë atë lojtar”, – ka thënë Canollari.
“Megjithatë duhet të falënderoj Garganon për këtë lidhje, sepse është jo vetëm një njohje e vjetër, por dhe vendimtar në të gjithë këtë binjakëzim me Udinezen”, – ka përfunduar Presidenti i Akademisë së Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës, Ervin Canollari.