AlbanianSport.com 04.06.2015 16:25
ASNN – Njeriu që është në qendër të hetimeve të autoriteteve amerikane të drejtësisë mbi korrupsionin në FIFA, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv të organizmit që qeveris futbollin botëror, Çak Blejzër, ka bërë një zbulim tronditës.
Në deponimet dhënë gjatë procesit të tij gjyqësor, ai ka deklaruar se e drejta e organizimit të Botërorit në Francë, në vitin 1998, dhe atij në Afrikën e Jugut më 2010-shin, praktikisht ishte blerë.
“Unë kam pranuar, që së bashku me persona të tjerë të merrnim ryshfet për zgjedhjen e vendit mikpritës për Botërorit 1998”, – u shpreh Blejzër.
“Në fillim të vitit 2004 dhe duke vazhduar deri më 2011-n, unë dhe të tjerët në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s kemi pranuar ryshfet për përzgjedhjen e Afrikës së Jugut si vend mikpritës për Botërorit 2010”, – shtoi ai.
Para dy ditësh, Sep Blateri vendosi të japë dorëheqjen vetëm pak ditë pasi u rizgjodh në kreun e organizatës që drejton futbollin botëror (FIFA). Sipas raporteve të mediave amerikane, edhe Blateri është duke u hetuar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
Javën e kaluar, me urdhër të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, autoritetet zvicerane kanë arrestuar disa zyrtarë të lartë të FIFA-s, nën akuzën për shantazh, mashtrim dhe pastrim parash.