Gjergj Vyshka 06.10.2016 14:20
Votohet në Buenos-Aires, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i kënaqur me këtë votin: “Tani jemi një më shumë. Urime Federatës së Volejbollit të Kosovës!” Kosova është anëtarja më e re e Federatës Botërore të Volejbollit, ndërsa votimi është kryer dje në Kongresin e 35-të të këtij institucioni, që është zhvilluar në Buenos Aires të Argjentinës.
Votimi i kryer nga delegatët në Kongresin Botëror ka kënaqur jo vetëm Kosovën, e cila shton radhën e Federatave të saj si anëtare të institucioneve ndërkombëtare, por dhe Federatën Shqiptare të Volejbollit. Shqipëria në këtë kongres botëror është përfaqësuar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola.
Dhe në fund ka ardhur dhe mesazhi i tij për pranimin e Kosovës si anëtare e Federatës Botërore të Volejbollit: “Kongresi i 35-të i Federatës Botërore të Volejbollit, që po zhvillohet në Buenos-Aires të Argjentinës, sapo votoj pranimin me të drejta të plota të Federatës së Volejbollit të Kosovës. Tani jemi një më shumë. Urime Federatës së Kosovës”.
Dhe në fakt nuk kanë munguar përshëndetjet e kosovarëve për mbështetjen që kanë dhënë Pëllumbi e Vokopola tek ndërkombëtarët për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota. Hysni Prelvukaj do të shkruante: “Urimi ju takon juve personalisht dhe shtetit shqiptar dhe vetëm bashkë dhe me më shumë dinjitet do bëhemi fuqishëm”. Po kështu dhe Fatmir Lipja: “Urime për Kosovën, por dhe ju që kontribuat personalisht”.
E në mbyllje vjen komenti përfundimtar i të parit të rrjetës shqiptare, Erlind Pëllumbi: “Është kënaqësi që Kosova do të jetë anëtare e Federatës Botërore të Volejbollit. Është do të jemi dy në veprimtaritë ndërkombëtare e kështu do të jemi më të fortë për të ecur përpara”. Përfundimisht Kosova tashmë është dhe pjesë e Federatës Botërore të Volejbollit.