AlbanianSport.com 06/02/2019 13:00
ASNN – Infrastruktura është gati por ende nuk janë vendosur stadiumet ku do luhen ndeshjet. Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) është e sigurt se vendi pritës, Egjipti do të jetë “i gatshëm” për të organizuar Kupën e Kombeve të këtij viti, pavarësisht nga koha e kufizuar e përgatitjes. CAF ka inspektuar infrastrukturën dhe pajisje të ndryshme sportive në të gjithë vendin.
Egjiptit iu dha e drejta e pritjes së kësaj veprimtarie në janar, pas vendimit për të hequr Kamerunin për shkak të vonesave në përgatitje. “Egjipti do të jetë gati,” tha drejtoresha e komunikacionit i CAF-it, Natali Rabe, për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) në Stadiumin e Aleksandrisë. “Ne kemi plane për rikonstruksione, por në çdo rast, infrastruktura është atje, gati”, – ka shtuar ajo.
Do të jetë hera e katërt që Egjipti organizon këtë turne, ndërsa Kameruni do ta presë Kupën e kombeve në 2021. Një delegacion i CAF-i ka vizituar stadiume në Kajro, Suez, Ismailia, Port Said dhe Aleksandri, me organizatorët që ende nuk vendosin për stadiumet pritëse. “Të gjitha infrastrukturat që kemi vizituar janë të mira, por ne ende po zgjedhim”, – tha Drejtori i Garave i CAF-it, Samson Adamu.
Rabe gjithashtu ngriti problemin e sigurisë, duke thënë se “do të bëhen të gjitha përpjekjet për të marrë masat maksimale”. “Ne jemi të sigurt, dhe e dimë se të gjitha stadiumet do të pajisen me dhoma sigurie,” shtoi ajo. Që nga revolucioni egjiptian i vitit 2011, ligat e futbollit të vendit janë dëmtuar nga dhuna. Kupa e Kombeve e 2019, e cila do të zhvillohet nga 21 qershor deri më 19 korrik, do të jetë e para që do të ketë 24 vende pjesëmarrëse, nga 16 që kanë qenë më parë.