AlbanianSport.com 13.10.2014 11:15
ASNN – Edhe pse ka qenë e diel, Bylisi i është kthyer stërvitjes për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës me Butrintin, të cilën shpreson ta luajë në Stadiumin e vet “Adush Muça” të Ballshit. Ekipi ka kryer dy seanca stërvitore, e para në palestër, që ka pasur më tepër karakter fizik, kurse e dyta në fushën e lojës.
Ndërkohë për sa i përket luajtjes në Ballsh, të shtunën e ardhshme ndaj Butrintit, drejtuesit e klubit në bashkëpunim me ato të Bashkisë janë duke bërë maksimumin që të luhet në “Adush Muça”. “Por ajo që na habit është fakti se deputetët e zonës po tregohen indiferent për Bylisin, pavarësisht se skuadra është e të gjithëve”, – kanë thënë tifozët në faqen e “Facebook”-ut të FK Bylisit.
Ndërkohë skuadra është e karikuar për të marrë fitoren ndaj Butrintit dhe për të ruajtur kreun në grupin e Jugut. “Ne kërkojmë që të gjithë të bëjnë të pamundurën për kthimin e skuadrës në Ballsh, sepse kemi një stadium brenda standardeve, ndërsa deputetët tanë nuk kanë pse të rrinë duarkryq në këtë situatë”, kanë përfunduar tifozët ballshiot.