AlbanianSport.com 16.01.2016 09:25
ASNN – Serbi Dobrasinoviç me grupin. Ballshiotët vazhdojnë negociatat, ndërsa do të ketë edhe katër përforcime deri në startin e garës. Bylisi do të luajë sot miqësoren e radhës me skuadrën e Erzenit të Shijakut në Tiranë, në kompleksin “Internacional Tirana”, në orën 16:00. Për ballshiotët, kjo sfidë është e tretë në këtë periudhë përgatitore, ndërsa pritet që të zhvillojnë edhe 2-3 miqësore deri në nisjen e gjysmës së dytë të sezonit..
Kujtojmë që në dy miqësoret e para, skuadra e Bylisit e drejtuar nga dyshja, Mariglen Kule dhe Ermal Nexhipi, ka humbur në Kavajë me Besën dhe ka fituar me Kastriotin. Ballshiotët deri më tani, kanë bërë tre afrime zyrtare, siç janë dy mbrojtësit Julian Brahja e Samir Sahiti, por edhe rikthimi i “gardianit” Mikel Kaloshi pas huazimit te Shkumbini, pjesë e së cilit ishte për gjashtë muaj.
Ndërkohë, dje nën urdhrat e stafit është vënë edhe mesfushori i qendrës, serbi Mihajlo Dobrasinoviç, një futbollist cilësorë dhe me eksperiencë, “shkes” për të cilin është bërë serbi tjetër i skuadrës ballshiote, mbrojtësi Borisllav Simiç. Dobrasinoviç është një mesfushor shtatlartë dhe ka kualitete, ku ai dallohet si fantazist dhe pritet që t’i bëjë shumë punë skuadrës ballshiote në pjesën e mbetur të garës.
Ndërsa në testin e sotëm do të shihet edhe forma e serbit të ardhur te ballshiotët si një përforcim me vlera. Ballshiotët pritet që të afrojnë edhe të tjerë futbollistë, pas Kaloshit, Sahitit, Brahjes, Dobrasinoviçit. Deri në fundin e merkatos, pritet që tek Bylisit të ketë të paktën edhe katër përforcime cilësore të cilat do t’u bëjnë shumë punë mallakastriotëve për të siguruar mbijetesën në elitë në këtë sezon.