AlbanianSport.com 10.02.2016 19:50
ASNN – Juljan Brahja, një nga afrimet e bujshme të merkatos së Bylisit dhe presidentit Kapllanaj, është optimist pas fitores me pukjanët. Në prag të sfidës me bardheblutë kryeqytetas, ai analizon merkaton dhe situatën te ballshiotët, por flet edhe për garën në vazhdimësi.
“Kemi zhvilluar dy ndeshje, ku normalisht kemi marrë 3 pikë me Tërbunin, ndërsa duhet që të dilnim me pikë edhe në Kukës, megjithatë shpresoj që ndeshja me pukjanët të jetë edhe kthesa jonë, – ka thënë ai. – Bylisi ka ndërtuar një tjetër skuadër në gjysmën e dytë të garës.”
“Jemi forcuar dukshëm, është punuar shumë mirë si dhe janë afruar lojtarë cilësorë, nga merkato vendase por edhe lojtarë të huaj mjaft cilësorë, – ka theksuar futbollisti i ballshiotëve. – Aktualisht, jemi duke menduar vetëm për Tiranën, takimin e radhës, ku ne do të shkojmë dhe do të japim maksimumin.”
“Në këtë periudhë dhe në këtë situatë në të cilët ne ndodhemi, nuk ka më kundërshtarë të lehtë dhe të fortë. Me Tiranën do të bëjmë më të mirën për të marrë rezultat pozitiv”, — ka thënë mbrojtësi fillimisht që ka një përvojë të madhe në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.