Gjergj Vyshka 30.01.2014 09:45
Bylisi ka fituar miqësoren e radhës të mërkurën, teksa në “Adush Muça” të Ballshit ka mundur Naftëtarin 1-0 pas golit të shënuar nga Hyska në minutën e 74-t. Sipas ballshiotëve, trajneri Roland Nenaj ka aktivizuar të gjithë lojtarët që ka në dispozicion, ndërsa ekipi ka bërë një paraqitje relativisht të mirë.
Por tjetër mendim kanë pasur kuçovarët, të cilët kanë akuzuar lojën e rëndë të Bylisit. Madje sipas tyre, futbollistët e Naftëtarit kanë bërë një lojë të bukur dhe duhet të kishin fituar. Përtej kësaj, Bylisi ka bërë goditjen e gjashtë në tregun e lëvizjeve të futbollistëve.
Pas Liçajt, Shehajt, Pepës, Xhafës dhe Muçajt, tashmë pjesë e tyre është bërë dhe ish-sulmuesi i Butrintit, Arbër Dhrami. Në fakt ai ka qenë pjesë e Sopotit, por në fund nuk ka rënë dakord me ta dhe më pas ka firmosur për Bylisin, që dje ka fituar miqësoren e radhës me Naftëtarin.