AlbanianSport.com 29.04.2016 14:25
ASNN – Në këtë sfidë jashtë fushe, trajneri Adnand Zilzoviç, do të shohë më mirë edhe ata lojtarë që në 4-5 ndeshjet e fundit kanë qëndruar në stol apo jashtë 18-shes. Bylisi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për sfidën që do të zhvillojë nesër në orën 19:00 në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës me kampionët në fuqi. Ballshiotët, siç edhe e kanë deklaruar, në këtë ndeshje do të shkojnë me mungesa të shumta, pasi disa lojtarë janë të pezulluar dhe disa të tjerë janë të dëmtuar.
Dukiç, Simiç, Brahja, Hoxhaj, Edmilson, por edhe ndonjë tjetër duket se kanë vënë në hall trajnerin e skuadrës ballshiote, Adnan Zildzoviç, përpara një sfidë të fortë si ajo me Skënderbeun. Klasifikimi me mbi 30 pikë që i ndajnë flet për korçarët, ashtu si edhe statistikat me Bylisin që ka qenë një ndër viktimat e preferuara të Skënderbeut këto vitet e fundit. E madje ka pësuar 8 gola në dy përballjet e fazave të para, nga 4 për secilën ndeshje.
Megjithatë kjo ndeshje ka specifikën e vete të veçantë, duke qenë se dy skuadrat luftojnë për objektiva të ndryshme, jo si në edicionet e shkuara në Kategorinë Superiore, kur Bylisi tentonte trofe dhe pjesëmarrjen në Evropë. Ballshiotët shkojnë me probleme në këtë ndeshje dhe duket se më shumë Bylisi e ka mendjen tek ndeshja e shtëpisë, ajo me Teutën, që do të zhvillojë dy javë më vonë në Ballsh, ku natyrisht që shihet si një finale për 3 pikët.
Megjithatë edhe përballja e radhës me Skënderbeun do të jetë një test edhe për ata lojtarë që kanë luajtur pak dhe ndoshta për të krijuar edhe një ide trajneri boshnjak i mallakastriotëve për takimin me durrsakët. Bylisi aktualisht ka 28 pikë, po aq sa Flamurtari.