AlbanianSport.com 16.03.2016 15:15
ASNN – Pas Frashërit, Simiçit, Allës, Peposhit, Dukiçit të cilët e pësuan në Vlorë, edhe Julian Brahja ka lënë stërvitjen përgjysmë për shkak të një ndërhyrje brutale në sfidën me kuqezinjtë, duke krijuar panik te stafi teknik. Bylisi në ndeshjen me Vllazninë do të ketë mungesa të shumta, madje ballshiotëve u janë shtuar hallet. Sikur të mos mjaftonin tetë kartonë të verdhë dhe një të kuq, në dëm të ballshiotëve dhe ku u pezulluan plot pesë titullarë, dje është dëmtuar edhe mbrojtësi i qendrës Julian Brahja.
Mbrojtësi në Vlorë u zëvendësua për shkak të një ndërhyrje mjaft të rëndë nga një prej lojtarëve të ofensivës së vlonjatëve, ku edhe ka mbetur i dëmtuar, aq sa e kishte të pamundur që të vijonte lojën. Kujtojmë që pesë mungesat e ndeshjes me Flamurtarin, janë të gjithë titullarë, duke filluar që nga “gardiani” Stivi Frashëri, për të vijuar me mbrojtësit Dushko Dukiç, Boris Simiç si dhe Ardit Peposhin dhe, në mesfushë, me Albi Allën.
Por, duket se mungesa e Brahjes, ka detyruar stafin që të bëj të tjera llogari, aq sa edhe pritet që të ketë eksperimente në formacion e sidomos në mbrojtje dhe mesfushë, reparte që duket se do të ndërtohen nga e para për shkak të mungesave të titullarëve. Ndeshja me Vllazninë duket mjaft e rëndësishme, madje vendimtare për ballshiotët të cilët edhe pse luajnë në shtëpi, duket se kanë shumë mungesa.
Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme, se cilët do të jenë ata futbollistë të cilët do të zëvendësojnë mungesat e shumta, plotë gjashtë të tilla në ndeshjen e radhës me kuqeblutë, që janë edhe një ndër rivalët e Bylisit në betejën për mbijetesë, krahas Tërbunit dhe Flamurtarit apo dhe Laçit, të cilin matematika e ka futur në “zonën e ftohtë”.
Ja mungesa e Bylisit ndaj Vllaznisë
Frashëri
(I pezulluar)
Dukiç Brahja Simiç Peposhi
(I pezulluar) (I dëmtuar) (I pezulluar) (I pezulluar)
Alla
(I pezulluar)