AlbanianSport.com 16.12.2016 16:15
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur sot ndeshjen e parë të javës së saj të 13-të dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit takimin midis Bylisit dhe Dinamos. Ballshiotët kanë kapërcyer pësimin e një goli dhe kanë përmbysur gjithçka në pjesën e dytë, duke fituar me shifrat 2-1.
Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje ka qenë kryesisht e barazpeshuar, me një epërsi më të lehtë të vendasve dhe me Dinamon më të kujdesshme në mbrojtje. Dhe, përkundër rrjedhës së lojës, janë kryeqytetasit që kalojnë në epërsi, kur Arifaj përfiton nga një goditje e lirë dhe i shpëton mbrojtjes ballshiote, duke goditur dhe duke përshëndetur rrjetën.
Dinamo merr kështu kryesimin e rezultatin në minutën e 24-t, por Bylisi nuk jepet dhe vazhdon të sulmojë. Ballshiotët do të kenë një rast të mirë në minutën e 38-të, por topi nga goditja e lirë, e ekzekutuar nga Meto, do të rrokë shtyllën horizontale të portës dinamovite dhe do të kthehet në lojë.
Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë njëgolëshe të miqve, por e dyta do të nisë me dominimin e plotë të vendasve, presioni i të cilëve do të japë fryte në minutën e 54-t, kur Meto nuk e ka të vështirë të shënojë brenda zone, pas një pasimi të Raboshtës. Pjesa e mbetur e ndeshjes do të karakterizohet nga rastet e të dyja skuadrave.
Por, në fund, është skuadra vendase që gjen golin e dytë, me anë të të sapofuturit Kolgega, duke përmbysur gjithçka dhe duke marrë 3 pikë ndaj Dinamos, falë fitores 2-1. Ballshiotët ngjiten në kuotën e 25 pikëve, por mbeten 3 pikë pas Lushnjës kryesuese, kurse Dinamo mbetet e 6-ta, me 13 pikë në po aq javë kampionat.