AlbanianSport.com 29.12.2014 18:55
ASNN – Bylisi e ka mbyllur me humbje vitin 2014, ndërsa dje është mundur nga Apolonia, 1-0, në miqësoren e luajtur mes fqinjëve. Ka vendosur goli i Mikel Cankës që në minutën e 9-të, ndërkohë që për ballshiotët kanë luajtur dhe futbollistët nigerianë Ajuba, Xhoel, Xhon dhe Treng, të cilët duket se do të jenë pjesë e skuadrës ballshiote në pjesën e dytë të kampionatit.
Me këtë ndeshje, ashtu sikurse lajmëron dhe faqja në “Facebook” e KF Bylisit, skuadra ballshiote e ka mbyllur vitin 2014. “Ka qenë viti më i errët për ne dhe për të gjithë historinë e klubit të futbollit të Bylisit, – shkruhet në profilin e ekipit ballshiot në këtë rrjet social. – Dhe kjo jo për fajin e pjesëtarëve të klubit, por për shkak të dashakeqëve që e kanë sulmuar atë herë pas here.”
“Shpresojmë që vitin e ardhshëm të jetë më i mbarë për skuadrën tonë, atje ku dëshirojmë kthimin në Kategorinë Superiore, sepse atje është vendi i vërtetë i Bylisit”, – janë shprehur ballshiotët, ndërsa tashmë skuadra pritet të dalë në stërvitje më 5 janar 2015.