AlbanianSport.com 08/01/2021 22:55
ASNN – Pikërisht, pak orë përpara ndeshjes me Tiranën, klubi i Bylisit ka lëshuar një deklaratë paralajmëruese për rivalen nga kryeqyteti, pasi pretendon se bardheblutë po tentojnë të “joshin” mesfushorin e tyre, Donald Mëllugjën. Për lojtarin në fjalë thuhet se nuk është paraqitur në stërvitje pikërisht se kampionët në fuqi duan ta marrin në skuadër.
“Jemi në kohë merkatoje dhe ne si klub nuk kemi kontaktuar asnjë̈herë lojtarë që janë nën kontratë me klubet e tyre, ashtu siç e parashikon qartë edhe rregullorja e FIFA-s dhe UEFA-s për transferimin e futbollistëve! – thuhet në deklaratën e klubit ballshiot. – Nuk është normale, por habitemi se si Tirana kërkon t’i prishë mendjen lojtarit tonë, i cili nuk është paraqitur në stërvitje ditët e fundit.”
“Kjo sepse i është ngritur mendja për të shkuar te Tirana, – vijon deklarata në fjalë. -Tirana dhe çdo klub nuk kanë shanse që të negociojnë me lojtarët tanë që janë nën kontratë pa marrë miratimin tonë. Nëse Tirana e do Mëllugjën, apo çdo lojtar që ne kemi nën kontratë apo çdo ekip tjetër qoftë, vendas dhe i huaj, le të trokasë në klub dhe të zbatojë Rregulloren për Transferimin e Lojtarëve!”
“Nesë e duan Donald Mëllugjën të vijnë këtu, të paguajnë kartonin dhe le ta marrin, por jo fshehurazi”, – përfundon reagimi i klubit të Bylisit. Natyrisht, kjo deklaratë pritet ta ndezë atmosferën për ndeshjen e së shtunës, ku Bylisi kërkon pikët e plota për t’i larguar zonës së ftohtë të rënies nga Kategoria, ndërsa Tirana për t’i dhënë fund vazhdës së barazimeve.