AlbanianSport.com 30.09.2014 20:45
ASNN – Humbja e papritur në Cërrik ndaj Sopotit ka shkaktuar zemërim tek tifozët e Butrintit, të cilët nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut, “KS Butrinti”, i kanë bërë thirrje trajnerit të kësaj skuadre, Mustafa Hysi, që të aktivizojë lojtarët më në formë që ka në skuadër.
“Ftojmë trajnerin Hysi të mos ndikohet nga rrogat e lojtarëve të ardhur në mënyrë që t’i aktivizojë ato edhe kur nuk janë në formë, – shkruajnë tifozët sarandjotë. – Nuk duam që të fusim hundët në punët e stafit teknik, por jemi të zhgënjyer nga paraqitja e ndonjë lojtari të përveçëm.”
“E përsërisim prapë, nuk jemi trajnerë, por të paktën kemi sy dhe e shohim se kush angazhohet dhe kush jo. Shpresojmë që Rrapaj, Papa, Meçani e Xhibro të kthehen sa më shpejtë në formën optimale. Gjithashtu kërkojmë të dimë më shumë informacion për Dhramin, a është apo jo pjesë e ekipit”, – kanë theksuar tifozët sarandjotë.