Gjergj Vyshka 12.11.2014 20:25
Stefan Çipa, kryetari i Bashkisë së Sarandës, por njëkohësisht dhe presidenti i Butrintit, i ftuar në emisionin e Radio-Televizionit Shqiptar “E hëna sportive” ka shpërthyer ndaj gjyqtarëve. Barazimi i fundit në Sarandë, 0-0 me Lushnjën, e ka detyruar që të akuzojë, teksa ka thënë: “Grupi B ka ngjeshje të ekipeve, të cilat lëvizin me pikë të vogla. Ne jemi një ekip që investon dhe shquhemi për rregull dhe stabilitet. Për Butrintin nuk ka funksionuar gjykimi. Kemi katër vjet që investojmë, kemi qenë korrekt me lojtarët, trajnerët.”
“Kemi afruar dy trajner si Hysi e Ciko, të cilët janë punëtorë, ndërsa boshti i ekipit është i përbërë me lojtarë vendës, – ka vijuar ai. – Pra me një ndërthurje të mirë së të gjithë elementëve ne po arrijmë sukses. Duhet theksuar që portieri Haxho ka pësuar vetëm një gol, ndërsa kapiteni Muço është lojtari më deçiziv i skuadrës. Sepse është një lojtar me përvojë dhe që i nevojitet shumë skuadrës. Taksapaguesit sarandjotë sponsorizojnë ekipin, ndërkohë që gjyqtarët e rinj na ndëshkojnë padrejtësisht. Ne nuk kemi asgjë me ekipet kundërshtare, sepse çdo ndeshje në Sarandë është luajtur me një “Fair-Play” të plotë.”
“Uroj Lushnjën për pikën e fituar, por ne kemi humbur dy pikë, – ka vijuar kryebashkiaku sarandjot. – Jemi i vetmi ekip që kemi marrë 14 kartonë të verdhë dhe një të kuq brenda në fushë. Pavarësisht se ekipet pretendente do të kenë presione, kjo që po i ndodh Butrintit është diçka me dashje. Unë jam sportdashës i Dinamos, por para Butrintit nuk vë asnjë. E sollën posaçërisht në grupin e Jugut Dinamon për t’i bërë favore. Ndaj Lushnjës kemi dy 11-metërsh të mohuar padrejtësisht, ndërsa kemi gjyqtar futbolli si “kamikazë”.
“Unë sillem në mënyrë korrekte dhe falë kulturës që sportdashësit sarandjotë kanë këta gjyqtarë sillen kështu”, – ka thënë Stefan Çipa, kryetari i Bashkisë së Sarandës, por njëkohësisht dhe presidenti i Butrintit, i ftuar në emisionin e Radio-Televizionit Shqiptar “E hëna sportive”. – Deri më tani, Mustafai në tre ndeshje ka luajtur dhe në katër jo.” Ndërkohë që të njëjtin mendim ka pasur dhe trajneri Hysi, i cili ka pohuar: “Përveç gjykimit ndikoi dhe trysnia e vendit të parë. Zhvilluam një ndeshje të mirë me Lushnjën. Mungesat e rëndësishme që ne kishim dhanë efektin e vet në skuadër.”
“Ekipi punon çdo ditë dhe jemi skuadër që gjithmonë rrezikon. Jam krenar për këta djem dhe do të vazhdojmë me këtë frymë. Në këtë takim, Lushnja fitoi 1 pikë dhe presioni i kryesimit ndikoi tek skuadra. Megjithatë besoj se në fund të sezonit do të jemi në Superiore”, – ka përfunduar trajneri gjirokastrit i Butrintit të Sarandës, Mustafa Hysi.