AlbanianSport.com 21.02.2015 10:05
ASNN – Butrinti do të udhëtojë me mungesa sot në ndeshjen me Lushnjën, e cila do të luhet në Stadiumin “Roza Haxhiu” të lagunarëve. Një mungesa për shkak dëmtimi është Ani Xhibro, por trajneri Mustafa Hysi ka lënë jashtë 18-shes Erjon Mustafajin, i cili duket se nuk ka bindur askënd në Sarandë. Ndërkohë nisur dhe nga rëndësia e ndeshjes, apo dhe forca e kundërshtarit, Sokol Xhuvanin do ta kënaqte edhe një pikë në “Roza Haxhi”.
“Po punojmë shumë në stërvitje për t’u paraqitur sa më mirë në ndeshjen e radhës ndaj Lushnjës, – ka deklaruar ai. – Ky takim është shumë i rëndësishëm për ne, pasi luajmë me kryesuesit e renditjes. Në vizitën lushnjare do të tregohemi të kujdesshëm dhe do të zbatojmë me saktësi detyrat tona. Në çdo takim ne do të hyjmë në fushë për ta fituar atë. Mirëpo, unë do të kënaqesha edhe me një pikë.”
“Kampionati është i gjatë dhe 3 pikë larg vendit të parë nuk janë shumë. Ne do të tentojmë të marrim një rezultat pozitiv ndaj Lushnjë”, – ka përfunduar Xhuvani për faqen e “Facebook”-ut të KS Butrintit. Një tjetër futbollist, Albano Aleksi, kërkon “kokën” e Lushnjës. “Ne jemi të bashkuar dhe do të japim më të mirën në fushën e lojës për të marrë rezultat pozitiv”, – ka deklaruar ai.
“Ne do të luajmë lojën tonë, por edhe një fitore në Lushnjë nuk është çudi, pasi ne jemi Butrinti pretendent për Superiore dhe të shtunën do ta demonstrojmë këtë. Unë besoj te triumfi në Lushnjë”, – ka përfunduar mesfushori i Butrintit, Albano Aleksi.