AlbanianSport.com 01.12.2014 22:10
ASNN – Në Sarandë kanë nisur ta konsiderojnë grupin e Jugut të çmendur dhe me një luftë të fortë sportive, ndërsa janë disa skuadra të cilat pretendojnë të ngjiten në Superiore. E tillë është dhe Butrinti, ndërsa nga vendi i parë deri tek i fundit janë të gjitha skuadra që fitojnë në fushë të huaj dhe humbasin në fushën e vet. Dhe sarandjotët e kanë cilësuar taksative.
Kjo teksa Butrinti duhet të nisi marshimin drejt Superiores, sepse gradualisht të gjitha skuadrat si Lushnja kryesuese, ashtu dhe Dinamo e Sopoti do të hapin krahun. Butrinti për momentin ka në favor dhe kalendarin, sepse pret Luftëtarin në fundin e fazës së parë, që do të thotë të shtunën e ardhshme, si dhe Sopotin në fillimin e fazës së dytë. Sarandjotët kanë ftuar tifozerinë që të jetë e shumtë në stadiumin “Andon Lapa”, pasi sipas tyre futbollistët aktual të Butrintit e meritojnë një mbështetje të tillë.
“Madje meritojnë të njëjtën mbështetje si të shtunën në “Selman Stërmasi”. Futbolli në fund të fundit luhet për sportdashësit. E nëse nuk i mbështesim lojtarët dhe rrimë të hamë fara në stadium, përse e duam ngjitjen në Superiore? Të shtunën vjen Luftëtari në derbin e Jugut, ndërsa gjirokastritët janë vetëm dy pikë pas nesh”, – kanë thënë sarandjotët në rrjetet sociale.