Gjergj Vyshka 19.01.2015 15:55
Enriko Papa, sulmuesi që në pjesën e parë të sezonit ka luajtur tek Tomori në Kategorinë e Parë, tashmë është një tjetër ardhje për Butrintin në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
Të shtunën në mesditë, Papa, i cili më parë ka tentuar që të bëhej pjesë e Elbasanit në Kategorinë Superiore, ka gjetur akordin me drejtuesit sarandjotë.
Ai ka biseduar, të paktën kjo dhe sipas faqes në “Facebook” të Klubit sportiv Butrinti, me kapitenin e sarandjotëve Dhiogjen Muçon dhe trajnerin Mustafa Hysin dhe në fund ka pranuar të jetë pjesë e Butrintit.
Papa ka luajtur dy sezone me Apoloninë, kurse në pjesën e parë të sezonit ka luajtur me Tomorin duke shënuar dhe një gol.
Tashmë pas Hepajt dhe Jubanit, Papa është ardhja e tretë e Butrintit në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër, ndërsa tashmë kjo skuadër i ka të gjitha shanset për të qenë në Superiore.