AlbanianSport.com 27.09.2014 15:35
ASNN – Një tjetër skuadër e grupit të Jugut, e cila mund të konsiderohet me fat në këtë javë të parë të Kategorisë së Parë, është Butrinti. Ndodh kështu, pasi ndeshja me Sopotin nuk do të luhet në Librazhd, por në “Nexhip Trungu” të Cërrikut. Sepse fusha e Librazhdit, në një gjendje të vështirë, nuk plotëson asnjë standard të kërkuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Dhe Butrinti, përtej përgatitjeve të gjata që ka bërë nën drejtimin e Mustafa Hysit, apo përforcimeve të marra në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në verë, ka thirrur në kujtesë historinë për të mundur Sopotit. Sipas faqes në “Facebook” të KS Butrintit, përpara 3-4 vjetësh, atëherë kur militonin në Kategorinë e Dytë, sarandjotët kanë fituar 2-0 me Sopotin.
Tetë lojtarë të aktivizuar në atë ndeshje, jo vetëm që janë sot boshti i skuadrës së Butrintit, por do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre më të mirë për sarandjotët. Kostaq Papa, i cili, pas disa problemeve fizike për shkak të dëmtimeve, pritet të aktivizohet në pjesën e dytë të ndeshjes, në atë takim ka shënuar golin e parë në minutën e 12-të.
Kurse Gazmend Fuçia, i cili sot është pjesë e Gramshit, ka shënuar golin e dytë në të 35-n minutë. Vlen të theksohet fakti se ndryshe nga ekipet e tjera, sarandjotët nuk e kanë ndryshuar asnjëherë në mënyrë të plotë, ndërsa e kanë mbajtur dhe në Kategorinë e Parë. Diferencat mes një skuadre të Kategorisë së Dytë dhe të Parë janë të mëdha, por jo për pjesën e lojtarëve më të mirë të Butrintit, skuadër e cila ka marrë 3-4 blerje.
Ndaj në Cërrik kërkohet fitorja e parë e kampionatit për të hapur rrugën për t’u ngjitur në Superiore.