AlbanianSport.com 04.10.2014 14:20
ASNN – Butrinti është tashmë gati për ndeshjen e dytë të kampionatit, atë të cilën do ta luajë përballë Tomorit në Sarandë. Madje për ta pasur sa më të freskët skuadrën, trajneri Hysi, së bashku me titullarët e formacionit, të mërkurën e ndeshjes së Kupës së Shqipërisë ndaj Pogradecit ka qenë në Sarandë duke bërë stërvitje.
Ndërsa në stadiumin e liqenorëve “Gjorgji Kyçyku” ka qenë ekipi i të rinjve, i drejtuar nga drejtori teknik i Butrintit, Albert Çakuli, i cili nëpërmjet faqes së facebookut të KS Butrintit ka deklaruar: “Ndeshja ishte e bukur dhe e prodhuar si nivel loje nga skuadra jonë.”
“Këto takime na bëjnë të fitojmë elementët e së ardhmes, që do të jenë në vëmendjen tonë për perspektivën”, – ka shtuar ai. Që do të thotë se Butrinti i ka vënë vëmendjen jo vetëm ndeshjes së kampionatit ndaj Tomorit, por dhe kampionatit në tërësi, atje ku kërkohet ngjitja në Superiore.