AlbanianSport.com 03.12.2014 19:50
Gjashtë pikë në dy ndeshjet e radhës, të cilat Butrinti do t’i luajë në fushën e vet, ndërsa do të presë Luftëtarin këtë të shtunë dhe më pas edhe Sopotin. Ky është objektivi i sarandjotëve, të cilën e ka bërë të ditur qendërmbrojtësi i Butrintit, Arbër Malaj. Madje lojtari është shprehur se kjo skuadër i ka të gjitha shanset për të ecur sa më shumë në këtë kampionat me qëllimin final ngjitjen në Superiore.
“Fati nuk na ndihmoi shumë, por ne kemi potencial. Me këtë ecuri të ekipit, Superiorja është e arritshme dhe ne do të përpiqemi maksimalisht për të realizuar këtë objektiv. I falënderoj tifozët e shumtë, të cilët na mbështetën në takimin me Dinamon. Dy ndeshjet e radhës janë thelbësore për ne, pasi i luajmë në fushën tonë, atje ku kërkojmë të marrim gjashtë pikë”, ka thënë Malaj.
Ndërkohë që në “Selman Stërmasi”, të shtunën ndaj Dinamos, ka qenë i pranishëm dhe presidenti i Butrintit dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa. Ai jo vetëm që është mbështetës dhe ndihmesë e madhe për futbollin në Sarandë, por mbi të gjitha, të paktën dhe sipas faqes në “Facebook”, KS Butrinti, nuk përzihet në pazare të pista në kurriz të skuadrës.