AlbanianSport.com 23.01.2015 19:00
ASNN – Arbër Dhrami firmos për Sopotin, të shtunën miqësore me grekët e Thesprotos. Daniel Jubani dhe Enriko Papa janë vetëm një hap larg firmës me Butrintin. Për shkodranin, që ka luajtur deri në dhjetor me Laçin e Kategorisë Superiore, pritet vetëm që të vijnë letrat prej skuadrës kurbinase. Dhe më pas ai do të hedhë “të zezën mbi të bardhë”, që është firma mbi kontratën sarandjote.
Ndërkohë, gjithnjë sipas faqes në “Facebook” të KS Butrintit, bisedimet me kuçovarin Papa janë drejt finalizimit dhe po shkojnë mirë. Dhe me tre ardhje, që janë Hepaj nga Veleçiku, Jubani nga Laçi dhe Papa nga Tomori, Butrinti duket i plotësuar nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër, ndërsa ai që duket se po largohet është Dhrami, që është kërkuar nga Tërbuni.
Ndërkohë sulmuesi dje ka bërë ndarjen përfundimtare, sepse ka firmosur për Sopotin, kurse sarandjotët i kanë uruar suksese atij. Të shtunën në qytetin e Igumenicës do të zhvillohet ndeshja miqësore, Thesprotos-Butrinti. Me klubin pritet të udhëtojnë dhe sportdashës të zjarrtë të ekipit.