Gjergj Vyshka 22.01.2015 22:55
Duket se nuk e kapërdirë edhe aq mirë humbjen minimale me Dinamon trajneri i Butrintit, Mustafa Hysi. “Ne e kishim përgatitur ndeshjen për të marrë sa më shumë të ishte e mundur, – ka deklaruar gjirokastriti i stolit sarandjot. – Por jemi goditur në një moment kur një lojtar i ri, i cili do të përfitohet nga Butrinti, gaboi në mbrojtje.”
“Kemi pasur momentet tona, duhet të kishim shënuar, – ka vijuar ai. – Megjithatë kam dyshimet e mia për një rast penalltije, e cila për mua duhet të ishte e tillë. Për mua kjo nuk ishte Dinamo, një skuadër apatike, që nuk solli asnjëherë agresivitet në portën tonë. Por megjithatë mua nuk më takon të analizoj.”
“Sigurisht që mungesat e kapitenit Muço dhe Aleksit ndikuan në lojën tonë. Përderisa matematika na lejon ne do të vazhdojmë deri në fund luftën për t’u ngjitur në Superiore. Do të mundohemi që gjatë ndërprerjes të përmirësojmë ndonjë gabim në lojën tonë”, – ka përfunduar trajneri i Butrintit, Mustafa Hysi.