Olgert Serani 05.10.2014 21:40
Viron Bezhani, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka rrëzuar poshtë pretendimet e ngritura nga Federata Shqiptare e Mundjes. I kontaktuar nga gazeta, kreu i olimpizmit sqaroi se procesi i përzgjedhjes së bursës olimpike ka qenë transparent dhe se në dosjen deleguar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nuk është përjashtuar emri i mundësit Egzon Shala. “Për sqarim, Komiteti Olimpik ka përfshirë të dy sportistët në listën e dorëzuar ndërkombëtarëve dhe jo vetëm mundësin Osman Hajdari, siç mund të pretendohet, – ka thënë ai për “Panorama Sport”. – Verdiktin e jep IOC-ja dhe nuk është në dorën tonë, pavarësisht propozimit të bërë nga ne.”
“Pra, në këtë mes nuk ka çështje inati mes palëve, absolutisht jo, – ka vijuar kreu i lëvizjes olimpike shqiptare që sigurisht ka ende një “hasmëri” të vjetër me drejtuesit aktualë të Federatës Shqiptare të Mundjes. – Megjithatë, në përzgjedhjen e sportistit përfitues të bursës olimpike ka pasur edhe një sërë prioritetesh, siç është mosha e sportistit, perspektiva, madje specifikohet edhe gjendja ekonomike e kandidatit. Pra, më shumë favore kanë sportistët në nevojë. Këtë nuk e themi ne, është kriter ndërkombëtar. Jo vetëm kaq, por mundësi Hajdari është kampion me të rinj, të rritur, sportist i prespektivës dhe shumë më i ri në moshë.”
“Ndërsa kandidati tjetër, përveç se është në moshë të madhe, ndaj tij nuk kemi garanci, – ka vijuar ish-mundësi, tashmë president i KOKSH-it. – Që do të thotë se nuk përjashtohet mundësia të zgjedhë një përfaqësuese tjetër siç ka ndodhur.” Numri një i KOKSH-it, i cili la të hapur edhe përfshirjen e Shalës në grumbullimet e ardhshme që do të bëjë Komiteti Olimpik. “Mund të mos jetë përzgjedhur si përfitues i bursës olimpike, por kjo nuk e përjashton mundësin Shala nga planifikimi i KOKSH-it në fazat e ardhshme përgatitore. Nëpërmjet jush konfirmoj se edhe ai është përfshirë në listë për t’u stërvitur në qendra të licencuara nga ndërkombëtarët së bashku me sportistët bursistë dhe të tjerë kandidatë potencialë për Lojërat Olimpike “Rio 2016”.”
“Një tjetër sportist është edhe atleti Izmir Smajlaj”, – deklaroi presidenti Bezhani. Me qëllim kryesor mundësimin e kushteve optimale për stërvitjen e sportistëve, presidenti Bezhani zbuloi se njëherësh kanë nisur tratativat me katër homologë dhe marrëveshjet janë në prag të konkretizimit, përkatësisht me Azerbajxhanin, Francën, Rumaninë dhe Turqinë. “Së fundmi ne i kemi dërguar edhe një shkresë ministrisë për një mbështetje financiare. Nëse deri tani janë të planifikuar 10 veta për grumbullim, në rast të një fondi shtesë mund ta çojnë në 14 numrin e tyre.”