AlbanianSport.com 06.11.2014 16:15
ASNN – “Do të nënshkruajmë një peticion për Bashkinë dhe Klubin e Futbollit”, shprehen tifozët e Burrelit, të cilët nuk mundta pranojnë gjendjen ku është katandisur skuadra e tyre e zemrës. Sipas tyre u premtuam masa konkrete nëse ekipi nuk do të fitonte me Tërbunin. Por në fakt, kjo disfatë është kaluar në heshtje totale nga të gjithë në skuadrën e trajnerit Vladimir Gjoni.
“Pas peticionit do të ndërmarrim veprime të tjera”, – thonë tifozët. “Do t’u kërkojmë gjithë tifozëve të bojkotojnë ndeshjet e futbollit deri në zgjidhjen e krizës. Nëse këtë vit biem nga kategoria do të duhet më shumë se një dekadë për t’u rikthyer”, deklarojnë tifozët matjanë, të cilët e kanë ndjekur ekipin prej korrikut të këtij viti edhe në ndeshjet stërvitore.
Teksa flasin të nervozuar, tifozët e Burrelit janë të mendimit se masat duhet të jenë të shpejta dhe efektive, pasi aktualisht ekipi ndodhet në zonën e ftohtë të renditjes. “Jemi në pritje të reagimeve të drejtuesve të Bashkisë e klubit për të vënë në binar ekipin, pasi nuk mungojnë burimet njerëzore, – theksojnë atë. – Burreli prej shumë kohësh nuk ka qenë kaq dobët.”
“Në pesë ndeshje vetëm tre pikë. Kjo tregon sa keq është paraqitur skuadra. Normale do të ishte që personat përgjegjës të ndërmarrin akte civile, ndryshe do të mbahen mend si shkaktarë të dëmtimit të imazhit të skuadrës së Burrelit”, – shtuan tifozët matjanë.