AlbanianSport.com 05.10.2014 20:45
ASNN – Sekretari i klubit të futbollit të Burrelit, Drilon Skura, ka deklaruar për gazetat sportive të ditës se deri disa orë përpara ndeshjes, edhe duke e ditur se forcat e rendit në Mamurras nuk e kanë marrë përsipër zhvillimin e ndeshjes, kanë qenë në pritje të lajmërimit nga Federata Shqiptare e Futbollit për luajtjen e takimit në një fushë tjetër. “Kur kemi shkuar atje, – tregon Skura, – nuk kemi parë asnjë polic me uniformë.”
“Dhe në këtë moment i kemi kërkuar delegatit dhe vëzhguesit që çfarë do bëjmë se kështu siguria është e cunguar, – ka vijuar ai. – Më kanë thënë që janë policë privatë, kur në fakt drejtuesit e Mamurrasit kanë veshur me jelekë të verdhë 3-4 punonjës të një ndërmarrjeje në Laç. Atëherë i kam kërkuar delegatit dhe vëzhguesit që të më kontaktojnë me presidentin e firmës së policisë private, e cila ka marrë përsipër sigurinë e ndeshjes.”
“Më ka ardhur një përgjigje arrogante, duke më thënë që: “Mos u merr me atë punë!”, – ka rrëfyer Skura. – Në këto kushte ne nuk kishim si të dilnim në fushë. I kemi të gjitha të filmuara dhe të hënën do t’ia paraqesim Federatës, sepse kjo ndeshje duhet të luhet diku tjetër”. E përtej këtij kaosit, futbolli shqiptar duket se ka mbetur peng i dëshirës së forcave të rendit për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes, e cila nuk është aspak normale.