AlbanianSport.com 30.10.2014 16:50
ASNN – Thirrjet “Serbia, Serbia” kanë përcjell ndeshjen Rumani-Kosovë në hendboll për meshkuj, e cila është luajtur dje në Bukuresht, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2018. Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, sfida e parë ndërkombëtare e Përfaqësueses A të Kosovës në hendboll nuk ka kaluar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Jo vetëm për shkak të humbjes, por edhe për shkak të pritjes që tifozët vendës në Bukuresht u kanë bërë lojtarëve kosovarë. Ata me flamuj të Serbisë u bënin presion hendbollistëve tanë, teksa u dëgjuan thirrjet: “Serbia, Serbia”. E megjithatë kosovarët nuk kanë rënë pre e provokimeve, por kanë luajtur ndeshjen e tyre në parket me aq mundësi sa kanë pasur.
Ndërkohë trajneri i kombëtares së Kosovës në hendboll për meshkuj, Alfred Llazari, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij në këtë përballje të parë zyrtare ndërkombëtare. Kosova është mposhtur në Bukuresht nga Rumania, 36-24, por Llazari tha se lojtarët dhanë maksimumin. “Duke marrë parasysh se ishte ndeshja e parë mund të them se jam i kënaqur”, – ka deklaruar ai.
“Në dy minutat e fundit na mungoi përqendrimi si shkak i mungesës së përvojës dhe lojërave ndërkombëtare. Sido që të jetë, djemtë mbrojnë ngjyrat si është më e mira dhe tani na pret ndeshja e kthimit, por e njohim kundërshtarin mirë dhe do të japim maksimumin për të arritur më të mirën”, – ka përfunduar trajneri i kombëtares së Kosovës në hendboll për meshkuj, Alfred Llazari.