AlbanianSport.com 07.03.2015 20:55
ASNN – Stadiumi Kombëtar “Mane Garrinça” shndërrohet ne garazh. Impianti i ndërtuar për Botërorin 2014 në kryeqytetin brazilian, Brazilia, kushtoi më shumë se 485 milionë euro.
Pas “Uemblit” të rindërtuar në Londër është stadiumi dytë më i shtrenjtë në botë. Ai u hap për publikun më 15 qershorin të vitit të kaluar, për sfidën Zvicër-Ekuador të Botërorit “Brazil 2014”.
Me një kapacitet prej 72,000 shikuesish, ky stadium nuk ka pritur më shumë se 10,000 të tillë pas Botërorit të fundit. Edhe ata për disa takime miqësore që janë zhvilluar aty, në mungesë të një skuadre që do ta përfaqësonte kryeqytetin në kategorinë e parë.
Një gjë e tillë e futi në vështirësi financiare impiantin në fjalë. Kostoja e mirëmbajtjes në muaj e kalon shifrën e 180 mije eurove dhe për mbulimin e saj, autoritetet lokale e gjetën një zgjidhje.
E shndërruan hapësirën rreth stadiumit ne një garazh gjigant, ku qëndrojnë 400 autobusë në 24 orë. Gjithashtu Bashkia e Brazilias ka marrë në përdorim, zyrat dhe mjediset e tjera në brendësi të stadiumit.